Vrasje për një pemë në Kavajë

04/01/2016 11:30

Një i ri është vrarë paraditen e sotme në Luz të Madh të Kavajës, ndërsa policia ka arrestuar bashkëfshatarin e tij si autorin e dyshuar të vrasjes. Ismet Xhani, 30 vjeç, ka qenë duke prerë degët e një pemë plepi për dru zjarri, në rrugicën e fshatit ku ndodhet shtëpia e tij, kur është qëlluar me armë zjarri nga 56-vjeçari Xhevdet Saraçi.

Nga të shtënat në distancë të afërt, i riu, baba i një fëmije 3-muajsh, ka marrë plagë të rënda dhe megjithëse është dërguar fillimisht në spitalin e Kavajës e më pas atë të Durrësit, nuk ka mundur të mbijetojë.

Ngjarja ndodhi rreth orës 10.30 të së hënës dhe pak çaste më vonë policia lokale vuri në pranga autorin e dyshuar. Mes tij dhe viktimës kishte nisur një konflikt për prerjen e pemës mbi të cilën të dy kishin pretendime. Ulja e temperaturave këtë fillimviti e ka shtyrë viktimën të presë pemën që ishte rritur buzë kanalit në toka fqinje e për të cilën kishte pretendime dhe Saraçi.

Më pas, degët i ka afruar në rrugicën pranë shtëpisë ku dhe ka ndodhur krimi. Policia ka bërë ndalimin e Saraçit dhe sekuestrimin e armës së krimit. Grupi hetimor vijon procedurat për zbardhjen e plotë të ngjarjes, ndërsa në fshat thonë se i dyshuari ishte person me probleme të shëndetit mendor dhe dihej që mbante armë.

Top Channel