NBA, fitorja e tretë radhazi për LA Lakers (Video)

04/01/2016 11:00

Los Angeles Lakers vazhdon të fitojë. Në “Staples Center” skuadra kaliforniane, edhe pse nuk e kishte në dispozicion Kobe Bryant, arriti të mposhtë Phoenix Suns me rezultatin 97-77, duke regjistruar suksesin e tretë radhazi dhe të tetin sezonal. Williams me 30 pikë të shënuara ishte protagonisti për LA Lakers, që e kontrolloi pa shumë probleme këtë sfidë me Suns nga fillimi deri në fund.

Chicago Bulls regjistroi fitoren e katërt radhazi në NBA. Skuadra nga Ilinois mposhti Toronto Raptors 115-113, ku ai që u shpall njeriu i ndeshjes ishte Butler. Ky i fundit e mbylli ndeshjen me 42 pikë, 40 nga të cilat vetëm në një pjesë të sfidës, duke thyer rekordin e Michael Jordan, i cili në vitin 1989 në sfidën me Milwaukee shënoi 39 pikë vetëm në një pjesë loje. Me këtë fitore, Chicago Bulls e sheh veten në vendin e dytë në Konferencën e Perëndimit, me 20 fitore dhe 12 humbje, duke lënë pas Miami Heat.

Skuadra nga Florida arriti të mposhtë në ndeshjen e saj të radhës Washington Wizards në fushën e këtij të fundit me rezultatin 97-75. Miami e bëri diferencën në këtë sfidë në periodën e dytë të takimit, të cilën e mbylli 25-7. Më pas, skuadra e Heat e pati të lehtë të administronte avantazhin e krijuar për ta mbyllur ndeshjen në favor të saj. Bosh me 23 pikë dhe Whiteside me 13 topa në tabelë ishin ata që spikatën për skuadrën e Miami, ndërsa për Washington më i miri i kësaj sfide ishte Wall, me 14 pikë të shënuara.

Në ndeshjet e tjera të NBA, New York Knicks mundi në “Madison Square Garden” Atlanta Hawks 111-95, ndërsa Portland Trail Blazers fitoi në parketin e Denver Nuggets 112-106.

Top Channel