Juventus në merkato, Isco në vëmendjen e italianëve

03/01/2016 00:00

Te Juventusi rihapet tema e merkatos. Trajneri i kampionëve të Italisë, Massimiliano Allegri kërkon përforcimin e mesfushës dhe emrat që janë të lidhur me skuadrën që ai drejton janë disa.

Ilkay Gundogan është objektivi kryesor i “Zonjës së vjetër”, por problemi i saj qëndron te Borusia Dortmund që nuk kërkon më pak se 30 milionë euro, kjo e detyron Beppe Marota-n të kërkojë alternativa të tjera.

Një prej opsioneve për Juventusin është Isco nga Reali i Madridit. Mesfushori spanjoll që nuk ka raporte të mira me trajnerin Benitez, së fundmi ka shprehur dëshirën për t’u larguar nga skuadra merenge për të shkuar në një ekip tjetër, ku të ketë mundësia për të luajtur më shumë dhe te torinezët, Isco mund të gjejë hapësira në formacionin bazë.

Reali i Madridit kërkon 35 milionë euro për të, por kjo shifër mund të ulet nëse Isco do të kërkojë me ngulm largimin. Por kjo histori nuk mbyllet me kaq. Për Iscon  ka shfaqur interes edhe Manchester City dhe nëse spanjolli përfundon nën urdhrat e Pellegrini-t, ai do të zëvendësojë te Citizens, Samir Nasri, me këtë të fundit që mund të përfshihet në orbitën e Juventusit.

Ndërkaq, te skuadra italiane po mendohet edhe për largimet. Një prej lojtarëve që po kërkohet më shumë është Zaza, ndërkohë që Padoin po kërkohet nga Udineze. Martin Caceres nuk do të rinovojë me bardhezinjtë, por do të qëndrojë me ta deri në përfundim të kontratës aktuale.

Top Channel