“Rrally Dakar” nis me 10 admirues të plagosur; 3 në gjendje kritike

03/01/2016 00:00

Edicioni i 38 i “Rally Dakar” nisi në mënyrën më të keqe të mundshme. Gjatë zhvillimit të etapës prolog, Buenos Aires-Rosario 11 km e gjatë, sipërmarrësja kineze Guo Meiling, që drejtonte një Mini Cooper, humbi kontrollin e makinës së saj dhe doli nga rruga, duke rënë mbi tifozët.

Sipas asaj që publikohet në median argjentinase, nga ky incident mbetën të plagosur 10 persona, nga të cilët 3 janë në gjendje të rëndë. Mësohet gjithashtu se, nga të plagosurit, 4 janë minorenë, ndërkohë që dyshohet se mes tyre është edhe një vajzë shtatzënë.

Më pas, etapa vijoi normalisht dhe në fund, në kategorinë e motorëve, ai që fitoi ishte Joan Barreda, me kohën 6 minuta e 27 sekonda, ndërsa në kategorinë e makinave, fitorja e etapës prolog i shkoi holandezit Ten Binke, me 6 minuta e 8 sekonda.

Top Channel