Kosovë, Jahjaga viziton foshnjën e parë të vitit

01/01/2016 00:00

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka qenë në Klinikën e Gjinekologjisë në Prishtinë për të vizituar foshnjën e parë të lindur në vitin 2016, duke uruar që ai të bëhet president.

Jahjaga u njoftua për së afërmi me gjendjen në Gjinekologji dhe falënderoi tërë stafin për punën e bërë gjatë vitit 2015.

“Vizitova edhe nënë Jetmiren, e cila kishe kaluar një lindje të mirë gjatë natës së mbrëmshme. Urova nënën për lindjen e fëmijës, ndërsa bebit të vogël i urova një jetë të gjatë, fat, shëndet dhe gëzime në jetën e tij, së bashku me gjithë familjen. Po ashtu, shfrytëzoj rastin që t’i uroj të gjithë qytetarët e Kosovës për një vit të mbarë dhe të suksesshëm”, deklaroi Jahjaga.

Drejtoresha e Klinikës Gjinekologjike, Mirvete Paqarada ka bërë të ditur se 22-vjeçarja Jetmira Sopjani nga Fushë Kosova, e cila solli në jetë fëmijën e parë të vitit 2016, kishte një lindje normale dhe pa komplikime.

Vetë nëna e re u shpreh e kënaqur që u vizitua nga presidentja Jahjaga dhe po ashtu për përkujdesjen e stafit të Gjinekologjisë.

“Për mua është lindja e parë, është një ndjenjë shumë e veçantë, nuk mund ta përshkruaj me fjalë. Gjithçka shkoi shumë mirë, edhe sot ndihem shumë mirë”, tha 22-vjeçarja.

Vizitës në Klinikën e Gjinekologjisë, presidentja Jahjaga e përfundoi duke uruar Jetmirën që djali i saj të bëhet president kur të rritet.

Top Channel