Prishtinë, 12 familje të varfra strehohen në banesa

31/12/2015 14:00

Drejtoria e Shëndetësisë dhe e Mirëqenies Sociale e Komunës së Prishtinës strehoi 12 familje me gjendje të rëndë sociale në banesa, nga kontenierët ku ata kanë jetuar që nga pas lufta.

Këto familje kanë qenë në situatë të rëndë, duke jetuar në kontenierë të improvizuar e me mungesë të kushteve elementare për jetë.

Për ta përcjellë bartjen e familjeve, por njëherësh edhe demolimin e kontenierëve dolën Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, drejtori i Shëndetësisë dhe i Mirëqenies Sociale, Arben Vitia, si dhe drejtori i Drejtorisë së Inspeksionit, Xhelal Sveçla.

Kryetari Shpend Ahmeti tha se këta kontenierë kanë qenë një ndër pikat e turpshme të kryeqytetit, për shkak të kushteve në të cilat këto familje kanë jetuar dhe shprehu kënaqësinë e tij që u arrit pajtimi që këto familje të strehohen në banesa dhe këta kontenierë të shkatërrohen.

“Besoj se Vitin e Ri këto familje sonte do ta presin në një ambient shumë më të mirë e shumë më të ngrohtë, ashtu si edhe shumë familje tjera”, tha Shpend Ahmeti.

Drejtori i Shëndetësisë dhe i Mirëqenies Sociale, Arben Vitia, shprehu gëzimin e tij që pas shumë muajsh negociata me familjet u arrit pajtueshmëria dhe sonte këto familje do ta presin Vitin e Ri në kushte dinjitoze. Ai bëri me dije se për dy vitet e ardhshme këto familje do të subvencionohen nga komuna dhe gjatë kësaj periudhe do të bëhen përpjekje që të gjindet një zgjidhje e përhershme për to.

Ndërkaq, Drejtori i Inspeksionit, Xhelal Sveçla, tha se ky lokacion po sanohet menjëherë dhe do të jetë pjesë e parkut të Fushës së Pajtimit, i cili planifikohet të ndërtohet këtu. “Besoj që kjo zonë, ky park sportiv, do të kthehet në një nga zonat më të mira të kryeqytetit dhe do t’iu shërbejë edhe lagjeve përreth”, tha Sveçla.

Top Channel