Kosovë, miratohet rregullorja për viktimat e dhunës seksuale

30/12/2015 00:00

Qeveria e Kosovës ka shqyrtuar dhe miratuar Rregulloren për përcaktimin e procedurave për njohjen dhe verifikimin e njohjes së statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi tha se rregullorja përcakton kushtet e kriteret, si dhe unifikon procedurat për njohjen dhe verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale, gjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Rregullorja përcakton gjithashtu organizimin e punës, funksionimin e detyrave dhe përgjegjësitë e Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e personave të dhunuar gjatë luftës në Kosovë.

Sipas Abrashit, Komisioni qeveritar, që do të formohet në fillim të vitit 2016, do të përbëhet edhe nga psikologë klinikë, përfaqësues të shoqërisë civile, juristë e mjekë, të cilët do të kujdesen për ruajtjen e konfidencialitetit të viktimave, pasi në të kundërtën rregullorja parashikon edhe ndjekje penale.

Top Channel