Kosovë, Jahjaga dekreton dy gjyqtare të Kushtetueses

30/12/2015 00:00

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga dekretoi emërimin e zonjave Gresa Caka-Nimani dhe Selvete Gërxhaliu, gjyqtare në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Pas pranimit të propozimeve nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, Presidentja Jahjaga bëri sot dekretimin e dy gjyqtareve të Gjykatës Kushtetuese, duke kompletuar numrin e 9 gjyqtarëve të kësaj gjykate, njofton Presidenca në një komunikatë për shtyp.

Gjyqtaret Gresa Caka-Nimani dhe Selvete Gërxhaliu bënë betimin para Presidentes Jahjaga, në një ceremoni ku ishte e pranishme edhe kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama-Hajrizi.

Nga këto kandidatura ka qenë pikërisht ajo e Gërxhaliut, që ka shkaktuar një seri reagimesh në Kosovë, pas votimit të Kuvendit, ku opozita, OJQ-të dhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut kanë kërkuar nga Presidentja e Kosovës të mos e dekretonte, për shkak se ajo ka qenë kandidate e LDK-së për deputete.

Zgjedhja e saj do të ishte në kundërshtim me normat morale, jo korrekte, në konflikt interesi dhe ndërhyrje e drejtpërdrejtë politike.

Top Channel