Maqedoni, televizioni i dedikuar Kuvendit shpërfill gjuhën shqipe

30/12/2015 00:00

Kanali i posaçëm televiziv, që transmeton seancat e Kuvendit të Maqedonisë, vazhdon të shpërfillë gjuhën shqipe.

Ky kanal, që funksionon në kuadër të Televizionit të Maqedonisë, fjalimet e deputetëve shqiptarë i transmeton të dubluara në gjuhën maqedonase.

Kjo situatë nuk ka ndryshuar edhe përkundër kërkesave të shumta, që fjalimet të transmetohen pa ndërhyrje.

Deputeti i PDSH-së opozitare, Gazmend Aliu e ka ngritur përsëri të mërkurën këtë çështje në Kuvend, si dhe ka akuzuar mazhorancën se nuk ka gatishmëri për të zgjidhur problemin.

“Mazhoranca nuk mund të ballafaqohet me kërkesat, që ne si PDSH kemi parashtruar, ku kërkojmë që në kanalin televiziv të Parlamentit, fjalimet e deputetëve të transmetohen drejtpërdrejt ashtu siç flasin ata, në gjuhën e tyre amtare. Por unë shoh se, për këtë nuk ka mirëkuptim politik dhe as gatishmëri për t’i zgjidhur problemet”, tha Gazmend Aliu, deputet i PDSH-së.

Më tutje, deputeti opozitar tha se, gjatë kohës kur Kuvendi nuk mban seanca, ky kanal televiziv transmeton emisione dhe këngë nacionaliste maqedonase, ndërsa nuk i jep fare hapësirë kulturës dhe artistëve shqiptarë.

Ditë më parë, edhe deputetët e BDI-së, që janë pjesë e mazhorancës, kanë reaguar për anashkalimin e gjuhës shqipe dhe kanë kërkuar, që kanali i Kuvendit të pasqyrojë karakterin shumetnik të vendit.

Por, partia më e madhe maqedonase VMRO-DPMNE vlerëson se, shqiptarët nuk duhet të ankohen, pasi në kanalin e dytë të televizionit maqedonas, 35% e programacionit është në gjuhën shqipe.

Top Channel