Kosovë, konferenca e fundvitit e Mustafës

30/12/2015 11:00

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka folur në konferencën e fundvitit për punën njëvjeçare të qeverisë që ai drejton, duke përmendur si  arritjet më të mëdha, nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe projektin energjetik të termocentralit “Kosova e Re”.

Mustafa tha se, pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme për zbatimin e programit qeveritar, gjatë vitit 2015 ai është përballur në vazhdimësi me bllokada nga ana e opozitës. Me këtë rast, ai ka folur edhe për kërkesën e opzitës, e cila kërkon dorëheqjen e tij dhe zgjedhje të parakohshme.

“Mendoj se dorëheqjen duhet ta japë opozita. Jo nga Kuvendi, por dorëheqje nga dhuna dhe nga hedhja e gazit lotsjellës. Duhet të hiqet dorë nga kjo sjellje, për arsye se në një vend demokratik, askush nuk ka të drejtë të shkelë ligjin dhe të përdorë armët dhe mjetet e dhunës, për të imponuar një vullnet politik. Kjo është e para. Së dyti, nuk e kemi në mendje as të japim dorëheqje, as të shkojmë në zgjedhje, sepse zgjedhjet do të mbahen në vitin 2018. Ky aktuali është një koalicion shumë i fortë, shumë i qëndrueshëm”, tha Isa Mustafa, kryeministër i Kosovës.

Mustafa u shpreh i bindur se, pavarësisht sfidave të brendshme, Kosova gjatë vitit të ardhshëm do të shënojë rritje ekonomike mbi 4 përqind.

Duke folur për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, Mustafa tha se ajo duhet të zbatohet nga muajt e parë të vitit 2016, ndërsa u shpreh i bindur se, po këtë vit do të nisë edhe lëvizja e kosovarëve pa viza në zonën “Schengen”.

I pyetur për kërkesat e drejtpërdrejta të Bashkimit Europian, se Kosova duhet të arrestojë zyrtarë të nivelit të lartë për korrupsion, Mustafa tha se qeveria nuk mund të kërkojë nga drejtësia një gjë të tillë, pasi ajo është ndërhyrje në institucionet e pavarura.

“Duhet të kemi parasysh gjithashtu, që këto procese nuk janë zhvilluar deri tani vetëm nga drejtësia vendase. Një numër shumë të madh të rasteve i ka pasur edhe EULEX-i, që është pjesë e Bashkimit Europian. BE-ja duhet t’i pyesë edhe organet e veta, se çfarë kanë bërë në Kosovë, por pa e hedhur fajin te njëri apo te tjetri”, tha Isa Mustafa, kryeministër i Kosovës.

Në konferencën e fundit për vitin 2015, Mustafa tha se Kosova i ka kryer të gjitha punët dhe, në vitin e ardhshëm, pret që në koordinim më NATO-n ta shëndrrojë Forcën e Sigurisë së Kosovës në ushtri.

Top Channel