NBA, James mbush 31 vjeç; feston me fitore

30/12/2015 10:30

LeBron James e feston në mënyrën më të mirë të mundshme 31-vjetorin e tij të lindjes. “The King” u bë protagonisti i Cleveland Cavaliers në fitoren që kjo e fundit arriti ndaj Denver Nuggets në fushën e kësaj të fundit 93-87, duke e mbyllur sfidën me 34 pikë dhe 6 topa në tabelë.

Së bashku me James, në këtë ndeshje spikati edhe Iman Shumpert, i cili e nisi atë nga stoli për ta mbyllur më pas me 16 pikë të shënuara. Për Cleveland, që kryeson Konferencën e Lindjes, kjo ishte fitorja e 21 sezonale, ndërsa Denver shënoi humbjen e 20 dhe është jashtë zonës së “playoff”-it në klasifikimin e Konferencës së Perëndimit.

Memphis Grizzlies fiton një tjetër ndeshje në NBA. Në “FedEx Forum”, skuadra e Grizzlies mposhti Miami Heat me rezultatin 99-90, sukses që erdhi pas kohës shtesë. Në minutat e fundit ishte Miami ai që pati mundësinë për të shënuar pikët e fitores me Chris Bosh, i cili gaboi në tentativën e tij kur rezultati ishte 83-83, duke bërë që kjo sfidë t’i drejtohej 5 minutave të kohës shtesë. Në këtë moment të ndeshjes ai që u shfaq ishte Marc Gasol, i cili i jep mundësinë skuadrës së tij të krijojë diferencën e duhur deri në fitoren e takimit. Spanjolli e mbylli këtë sfidë me 23 pikë, 8 topa në tabelë dhe 6 asist.

Në ndeshjet e tjera të NBA, New York Kniks mposhti në “Madison Square Garden” Detroit Pistons 108-96, duke ndërprerë serinë e 4 disfatave radhazi; Oklahoma City Thunder fitoi me Milwaukee Bucks 131-123, ndërsa Atlanta Hawks mundi Houston Rockets 121-115.

Top Channel