Ndërtimi i TEC-it “Kosova e Re”, Ymeri: Energjia do të rritet me 50%

29/12/2015 00:00

Në një dalje për mediat, kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri paralajmëroi shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike në Kosovë, si pasojë e ndërtimit të termocentralit të ri dhe kushteve, me të cilat qeveria kosovare ka nëshkruar kontratën me kompaninë amerikane “Global Contour”.

“Fillimisht, kërkesa nga ‘ContourGlobal’ ka qenë që norma e interesit të jetë 27%, që i bie 27 për qind kthim në kapitalin e investuar. Kjo përqindje, natyrisht që reflektohet në çmimet dhe tarifat e energjisë elektrike që paguajnë qytetarët. Pas disa negociatave, Qeveria e Kosovës paska arritur që ta zbresë këtë normë nga 27 për qind në 21.5 për qind, duke e quajtur këtë një sukses jashtëzakonisht të madh të negociatave, duke e relativizuar kështu papranueshmërinë e kësaj norme kaq të madhe të kthimit në investim. 21% është një normë jashtëzakonisht e madhe e kthimit të interesit në investim. Askund në botë nuk mund të marrësh 21% normë kthimi me investimin tënd, në çfarëdo forme investimi”, tha Ymeri.

Për shkak të kësaj norme të madhe të kthimit të interesit, Ymeri, duke iu referuar shoqatave joqeveritare “KOSID” dhe “INDEP”, tha se çmimi i energjisë elektrike do të rritet me 50%. Një gjë e tillë do të ndodhë edhe për shkak të kamatës, që do të kthehet për kreditë e marra nga kjo kompani, për investimin e pjesës tjetër të termocentralit “Kosova e Re”.

Ndërkohë, sa i përket premtimit të 10 mijë vendeve të reja të punës gjatë ndërtimit të këtij objekti, kreu i Vetëvendosjes tha se, edhe një gjë e tillë është një mashtrim i radhës, siç ka ndodhur me mashtrimet e tjera gjatë fushatave elektorale. Përveç këtyre, Ymeri tha se ndërtimi i termocentralit të ri, i parashikuar me këtë plan të Qeverisë, do të ulë edhe fleksibilitetin e energjisë elektrike.

Ymeri deklaroi se, me ndërtimin e “Kosovës së Re”, vendi po shkon drejt një privatizimi të plotë të energjetikës dhe Kosova do të humbasë nga kontrolli sektorin, i cili është parakusht i ekzistencës së një shteti sovran dhe modern.

Top Channel