Lauda: ‘Mercedes-Ferrari, nuk ka asnjë aleancë’

29/12/2015 00:00

Mercedes nuk ka lidhur asnjë aleancë me Ferrarin. Kjo është ajo që ka deklaruar legjenda e Formula 1, Niki Lauda, duke përgënjeshtruar deklaratat e Bernie Ecclestone për një akord të tillë të skuadrës gjermane me kokëkuqen italiane.

Mësohet se Ecclestone kishte deklaruar se Mercedes e ndihmoi pak teknikisht Ferrarin, duke shtuar se këto dy skuadra janë në të njëjtën anë, gjë që solli edhe reagimin e Laudës.

“Duam të bëjmë të qartë diçka: Ferrari është rivali i Mercedes dhe ne dëshirojmë ta mposhtim këtë skuadër – tha Lauda në një intervistë për La Gazzetta Dello Sport – nuk ka asnjë bisedim për një aleancë të mundshme me të”.

Këto spekulime u rritën akoma më shumë  kur Ferrari punësoi ish inxhinierin e Lewis Hamilton, Jock Clear dhe mendohet se ai nuk është i vetmi person që të ketë kaluar nga Mercedes te Ferrari. Sipas Laudës, në këtë pikë, përgjegjësia bie i gjitha mbi median që e bëri këtë lajm si të bujshëm.

“Jock Clear ka qenë përgjegjës për makinën e Hamilton, por ai ka qëndruar jashtë aktiviteteve për 1 vit dhe kjo konsiderohet si një periudhë e gjatë në Formula 1 – shtoi Lauda – është e vërtetë që Ferrari ka punësuar edhe 3 persona të tjerë, por këto janë gjëra që ndodhin. Gjithsesi, situata është stabël te ne dhe ne nuk jemi të shqetësuar”.

Top Channel