Maqedoni, Osmani: Vetëm opozita e bashkuar mund të sjellë ndryshimin

27/12/2015 14:20

Do bashkohen apo jo partitë e vogla opozitare shqiptare në Maqedoni? Kjo është pyetja që mbisundon debatin politik mes shqiptarëve të Maqedonisë. Këtij debati i është bashkëngjitur edhe Rufi Osmani, i cili u rekomandon partive opozitare shqiptare që të bashkëveprojnë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

“Vetëm bashkëpunimi, pavarësisht a do të quhet Aleancë e Shqiptarëve apo Këshilli Opozitar, duke respektuar peshën rajonale dhe politike që kanë këto tre subjekte, mund të realizojë objektivin e elektoratit që thjesht të ndodhë ndryshimi. Nëse nuk ndodh bashkëpunimi, për fat të keq më duhet të them se do të mbizotërojnë egot personale të tyre, për të cilat nuk ka asnjë argument, as politik, as logjik e as strategjik”, ka pohuar për mediat Osmani.
 
Rufi Osmani është një nga personalitetet më emblematike të shqiptarëve të Maqedonisë dhe emri i tij ndërlidhet me ngjarjet e vitit 1997 në Gostivar, kur edhe u burgos për shkak të ngritjes së flamurit kombëtar. Kohë më parë Rufi Osmani drejtonte partinë Rilindja Demokratike Kombëtare.

Top Channel