Allegri dhe Conte, në listën e dëshirave të Chelsea-t

27/12/2015 12:00

Ndërsa Guus Hiddink po punon për të mbyllur sa më mirë këtë sezon me Chelsea-n, drejtuesit e klubit londinez kanë filluar kërkimet për atë që do të marrë drejtimin e tij në sezonin e ardhshëm. Lista e kandidatëve te kampionët e Anglisë është e gjatë, ku spikasin emrat e amerikanolatinëve Diego Simeone, Jorge Sampaoli dhe Manuel Pellegrini, me këtë të fundit që është disi më prapa se dy të tjerët.

Por ditët e fundit në ambientet e “Bluve” të Londrës kanë filluar të përmenden dhe emrat e 2 trajnerëve italianë dhe bëhet fjalë pikërisht për Massimiliano Allegrin dhe Antonio Conten. Asnjë prej tyre nuk e ka fshehur ambicien për të drejtuar një skuadër të Premier League-s në të ardhmen dhe tashmë kanë filluar studimin e gjuhës angleze. Madje Allegri duket se është më i interesuar se Conte për të nisur një aventurë jashtë Italisë, pikërisht te kampionati më i pasur i futbollit në botë.

Te Juventus dëshira për të vijuar punën me Allegrin është shumë e madhe, por te klubi torinez askush nuk do ta kthejë në dramë një largim të mundshëm të livornezit në drejtim të kampionatit anglez. Nëse kjo do të ndodhë, atëherë Juventusi do të niste kërkimet për një trajner të ngjashëm me Conten, që të jetë një maniak në aspektin e organizimit, lojës agresive dhe të disiplinës. Në fakt, nuk përjashtohet mundësia që kampionët e Italisë të tentojnë rikthimin e vetë Contes në pankinë, edhe pse  në këtë moment  duket se është ende shpejt për të folur për këtë çështje, duke parë se Conte, përveç Chelsea-t, pëlqehet edhe nga drejtuesit e Paris Saint Germain, por edhe ata të Romës e Milanit në Itali.

Top Channel