“Troja” prezanton albumin e ri

27/12/2015 00:00

Ata kanë zgjedhur të ironizojnë sërish sistemin politik në Kosovë, gjatë prezantimit të albumit të ri “One”.

Grupi “Troja” godet sërish atë që e quan censurë të sistemit për artistët dhe mediat, duke e promovuar albumin e ri me anë të një shfaqjeje pa qenë vet të pranishëm, por duke ia besuar skenarin, skenografinë dhe kostumografinë e tyre, interpretimit të aktorit Alban Makolli.

Në një situatë të improvizuar në fillim të konferences për shtyp, persona të veshur si “forca speciale” shpërndanë pyetjet, që gazetarët duhet të bënin.

Në këtë konferencë improvizohet dhe shpallja “armik i brendshëm i sistemit” i grupit “Troja” pas suksesit të këngës “Demokraci”, me anë të së cilës u kritikua ashpër klasa politike në Kosovë.

Në konferencë u ironizua edhe me dështimin e Kosovës sa i përket liberalizimit të vizave, duke treguar arsyen përse është izoluar vendi. “E kemi izoluar, për ta mbrojtur rininë tonë nga asimilimi”.

Ndërsa më tej u tha se, mbrojtja e vetme e sistemit nga ky grup muzikor do të ishte shantazhi, duke bërë thirrje që të injorohet ky album.

Albumi “One” i grupit rock “Troja” përmban 10 këngë, 7 prej të cilave të reja, dy të publikuara më parë dhe njëra përpunim i këngës “Mallëngjimi”, e këngëtarit Muharrem Qena.

Të gjitha këngët e albumit “One” nga grupi “Troja” janë publikuar tashmë në kanalin e tyre zyrtar në “Youtube”.

FOTO GALERI
1/2

Top Channel