Kosovë, bilanci i fundvitit, mbi 15 mijë e 500 të punësuar

26/12/2015 17:45

Gjatë këtij viti në Kosovë, 15 mijë e 539 persona janë punësuar përmes skemave të ndryshme të punësimit. Kështu bëri të ditur ministri i Punës dhe Mirëqënies Sociale, Arban Abrashi në konferencën përmbyllëse për shtyp për këtë vit, ku foli për arritjet e kësaj ministrie.

Ministri Abrashi tha se, këto të dhëna janë deri në muajin tetor, ndërsa shprehu bindjen se në vitet e ardhshme ky numër do të rritet deri në 120 mijë.

“Shifra 15 mijë është një start i mirë i punës së qeverisë, duke marrë parasysh presionet që kemi pasur. Që nga marrja e mandatit jemi ballafaquar me protesta, qoftë për shkak të kontratës kolektive, se si do të jetë implementimi i saj, qoftë për deklaratën e një ministri i cili kërkoi falje, qoftë për Gjykatën Speciale, që po shkakton pasiguri tek investitorët. Por në përgjithësi të gjithë treguesit janë pozitivë se 120-mijëshin, ose 100 mijë do t’i arrijmë në 4 vitet e ardhshme, duke garantuar stabilitet ekonomik”, deklaroi Abrashi.

Sfidë tjetër sipas ministrit, është edhe vetë ligji i punës, i cili sipas tij shkelet shumë nga punëdhënësit.

“Ajo që ne po përpiqemi të ndryshojmë është që me plotësimin e ligjit të punës të specifikojmë llojin e kontratës që jepet nga punëdhënësi. Ai duhet të ketë mundësi që vetëm një herë të japë kontratë 3-mujore, ndërsa pas saj ai të jetë i detyruar të japë kontratë 6-mujore dhe më pas të kalojë në kontratë 1-vjeçare. Nuk mund të ketë kontrata 3-mujore në pafundësi. Kështu, pas vitit të tretë ai punëtor që punon në një kompani duhet të marrë kontratë të përhershme”, tha Abrashi.

Ministri bëri të ditur se përmes ndryshimeve në ligjin e punës synohet gjithashtu që të rinjve t’u njihet si përvojë pune edhe praktika që ata kryejnë në ndonjë kompani.

Më tej, si sukses gjatë këtij viti, ai konsideroi edhe rritjen e pagesës për asistencë sociale me 25% dhe investimet që kjo ministri ka bërë në ndërtimin e disa qendrave për aftësime profesionale.

Top Channel