Valë arrestimesh në Serbi, zyrtarë e ish-zyrtarë në pranga për korrupsion

26/12/2015 00:00

79 persona janë arrestuar në Serbi në kuadër të atij që konsiderohet si një prej aksioneve më të mëdha kundër korrupsionit në vend.

Ministri i Punëve të Brendshme, Nebojsha Stefanoviq, bëri të ditur se në mesin e të ndaluarve është një ish-ministër, dy ish-zëvendësministra, disa kryetarë dhe ish-kryetarë komunash, disa drejtorë të kompanive publike dhe disa biznesmenë.

Mbi këta persona rëndojnë dyshimet për abuzim me detyrën, pastrim parash dhe krim financiar, të gjitha këto vepra penale të kryera që në  2004-tën, e që llogaritet ta kenë dëmtuar shtetin serb me 70 deri në 100 milionë dollarë.

Autoritetet në vendin që çeli në 14 dhjetor bisedimet e anëtarësimit me Bashkimin Europian, duken të angazhuara maksimalisht në çrrenjosjen e një trashëgimie korrupsioni dhe krimi të organizuar, që zuri vend pas luftrave të ish Jugosllavisë në vitet ‘90.

Ish ministri i prangosur është Slobodan Milosavljevic i Partisë Demokratike në opozitë, i cili nga maji i 2007-tës deri në korrik të vitit 2008, ka mbajtur portofolin e ministrisë së Bujqësisë, Pyjeve dhe Menaxhimit të Ujërave.

Sipas Stefanovic-it, policia është aktualisht në kërkim të 5 të dyshuarve të tjerë. Në muajin qershor, autoritetet serbe akuzuan për korrupsion dhjetëra punonjës policie dhe nëpunës të doganave. Ministri i Brendshëm sqaroi se aksioni synon jo vetëm ndëshkimin e personave të përfshirë në këtë skandal, por edhe parandalimin e krimit financiar dhe të korrupsionit në vend. 

Top Channel