Drejtori i Zyrës për Kosovën në qeverinë e serbisë, Marko Gjuriç, tha se Serbia mbetet e përkushtuar tek dialogu, si mënyra e vetme për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Por, sipas tij, kjo nuk ka të bëjë me anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara.

Duke komentuar deklaratat e ambasadorit amerikan në Beograd, Michael Kirby sipas të cilit normalizimi i raporteve mes Prishtinës dhe Beogradit nënkupton anëtarësimin e Kosovës në OKB, Gjuriç theksoi se dihet që Serbia e shikon ndryshe nga SHBA statusin e Kosovës, përfshirë edhe çështjen e anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare.

“Serbia mbetet e përkushtuar për dialog, si mënyra e vetme për normalizimin e marrëdhënieve me Prishtinën dhe për zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura”, deklaroi Gjuriç, duke theksuar se fakti që po zhvillohen bisedime, nuk do të thotë se Serbia e ka njohur apo do ta njohë Kosovën.

Gjuriç deklaroi se Beogradi është i interesuar për paqe dhe stabilitet, por nuk do të pranojë kurrë pavarësinë e Kosovës nga Serbia.

Top Channel