Kosovë, opozita: Asociacioni është anuluar, Mustafa e Thaçi të dorëhiqen

24/12/2015 00:00

Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën kanë kërkuar dorëheqjen urgjente të kryeministrit, Isa Mustafa, dhe zëvendësit të tij, Hashim Thaçi, pas vendimit të dhënë nga Gjykata Kushtetuese.

Kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri tha se, për opozitën e bashkuar, Asociacioni është anuluar si marrëveshje.

“Kur një pjesë e konsiderueshme e një marrëveshjeje është në kundërshtim me Kushtetutën, atëherë e tëra ajo natyrisht që është antikushtetuse. Si e tillë është marrëveshje e anuluar. Dje u vërtetua edhe një gjë tjetër, që Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi, si bartës të institucioneve të Republikës së Kosovës, njëri si kryeministër e tjetri si zëvendëskryeministër, të dy këta të përfshirë në dialogun në Bruksel edhe në marrëveshjen për demarkacionin, kanë bërë shkelje flagrante të Kushtetutës. Prandaj ne, si opozitë e bashkuar, kërkojmë urgjentisht largimin e tyre nga postet që mbajnë”, tha Visar Ymeri, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje.

Kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj tha se, ikja nga përgjegjësia e atyre që shkelën Kushtetutën do ta thellonte edhe më shumë krizën në vend.

“Çfarëdo lloj tendence për t’i ikur kësaj përgjegjësie do ta thellonte edhe më tepër krizën. Mos harroni, sot jemi me një vendim të Gjykatës Kushtetuese, s’ka më pretendim, ka aktgjykim, që i ka dhënë përfundimisht të drejtë opozitës. Kjo qeveri nuk ka më legjitimitet, e asgjë tjetër për të udhëhequr dhe qeverisur për asnjë gjë në Kosovë. Kjo qeveri do të njihet si qeveri, e cila ka shkelur Kushtetutën dhe si e tillë duhet t’i hapë rrugë zgjedhjeve të lira”, tha Fatmir Limaj, kryetar i Nismës për Kosovën.

Ndërsa nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi tha se, mbrojtësit e sovranitetit po mbahen në burg, përderisa shkelësit e Kushtetutës vazhdojnë ta dëmtojnë vendin.

“Dy marrëveshjet, të cilat kanë dëmtuar shumë interesin dhe imazhin e Kosovës, kanë treguar se në një farë mënyre këta udhëheqës janë të shantazhuar dhe janë të korruptuar, prandaj nënshkrimi i marrëveshjeve të tilla ka bërë, që qytetarët të mos munden të durojnë një gjë të tillë”, tha Ahmet Isufi, nënkryetar i AAK-së.

Sipas partive opozitare, nuk mund të ketë demokraci në një vend, ku qeveria shkel Kushtetutën dhe vazhdon punën.

Top Channel