Ministri i Diasporës: Janë regjistruar 200 mijë kosovarë

24/12/2015 13:55

Ministri i Diasporës, Valon Murati deklaroi sot gjatë konferencës përmbyllëse të fundvitit se në kuadër të fushatës së nisur nga kjo ministri, gjatë këtij viti janë regjistruar rreth 200 mijë bashkëatdhetarë. Ai tha se procesi i regjistrimit do të vazhdojë edhe në vitin 2016, për të pasur kështu një publikim përfundimtar të shifrave të detajuara në fillim të vitit 2017.

“Falë fushatës së suksesshme gjatë muajve të verës dhe punës së palodhshme, kemi arritur që t’i regjistrojmë rreth 200 000 bashkatdhetarë, por nuk do të ndalemi me kaq. Puna do të vazhdojë edhe vitin e ardhshëm”, tha ministri Murati.

Ai theksoi se në këtë proces do të përfshihen edhe ambasadat dhe konsullatat, në mënyrë që bashkatdhetarëve t’u bëhet më i lehtë regjistrimi i tyre, ndërsa në të ardhmen ministria do të përqendrohet edhe në regjistrimin “online”.

Në konferencë u përmend edhe marrëveshja e nënshkruar mes dy qeverive për  mësimin plotësues të gjuhës dhe kulturës shqiptare në diasporë, si dhe memorandumi i përbashkët  Kosovë-Shqipëri për “Ditët e Kulturës Shqiptare në diasporë”.

Sa i përket numrit të bizneseve jashtë vendit, ministri tha se me inicimin e Ministrisë së Diasporës janë themeluar 20 rrjete të bizneseve në diasporë, të cilat kanë krijuar një strukturë të përbashkët, konkretisht rrjetin e përbashkët të bizneseve shqiptare në diasporë.

Në fund, ministri Murati kërkoi përkrahje nga mediat për afirmimin e procesit të regjistrimit, si dhe sensibilizimin e bashkatdhetarëve për mësimin plotësues të gjuhës shqipe.

Top Channel