Guardiola te M. City për 25 milionë euro në sezon

24/12/2015 12:05

Në Gjermani janë të sigurt. E ardhmja e Pep Guardiolës e ka emrin Manchester City.

Në fillim ishte revista “Kicker” ajo që foli për kalimin e katalanasit në “Ettihad Stadium”, ndërkohë që e përditshmja “Bild” shkon edhe më tej, duke zbuluar detaje nga kontrata që 44-vjeçari do të firmosë me “Citizens”. Sipas kësaj të përditshmeje, Guardiola do të përfitojë nga kjo kontratë me klubin anglez, që do të jetë 3-vjeçare), plot 25 milionë euro në sezon, që e bën atë trajnerin më të paguar në botën e futbollit.

Për momentin nuk ka asnjë koment, as nga klubi e as nga vetë Guardiola në lidhje me këtë lajm, por media gjermane këmbëngul duke theksuar se tashmë spanjolli e ka firmosur një marrëveshje me Manchester Cityn. Guardiola ruan një raport të mirë me drejtuesit e “Citizens”, Soriano dhe Beguiristain, të cilët i njeh që nga koha kur ata ishin te Barcelona dhe kjo duket se ka qenë një arsye e fortë për të për të kaluar te kjo skuadër.

Zërat për transferimin e Guardiolës te Mancester City ishin shfaqur prej kohësh, edhe pse zyrtarizimi i largimit të tij nga Bayern Munchen në fund të sezonit u bë vetëm javën e kaluar.

Top Channel