Radarët serbë në veri, qeveria: Nuk janë riaktivizuar

23/12/2015 00:00

Qeveria e Kosovës ka marrë garancinë nga KFOR-i se radari serb në veri të vendit nuk është riaktivizuar. Kabinetit qeveritar iu deshën mbi 10 ditë që të arrijë të verifikojë informatat e “Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë”, se radari në majën e Paniçiçit ishte rivënë në funksion.

“Qeveria e Kosovës ka komunikuar zyrtarisht me KFOR-in prej të cilit ka marrë konfirmim zyrtar për këtë çështje. Në kuadër të kompetencave të veta, KFOR-i kryen inspektime të rregullta në vendndodhjen e radarit të shkatërruar për ta verifikuar gjendjen e tij. Radari i shkatërruar ushtarak i Serbisë nuk është riaktivizuar e as që është riinstaluar ndonjë radar i ri në këtë pikë. Për më tepër, sipas konfirmimit të KFOR-it, riaktivizimi i radarëve në fjalë është rreptësisht i ndaluar nga marrëveshja e Kumanovës e vitit 1999”, thuhet në njoftimin për shtyp të qeverisë.

Në komunikatë, qeveria e Kosovës shprehet se e jep këtë njoftim për të përgënjeshtruar lajmet e ditëve të fundit në disa media, të cilat u referohen deklaratave të OJQ-së “Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë”, se Serbia ka riaktivizuar radarin ushtarak në malin e Kopaonikut, në brendi të territorit të Republikës së Kosovës.

Por “Top Channel”, i cili ka transmetuar një kronikë të tillë në datën 12 dhjetor, ka informacioneve nga Qendra e Navigacionit e Kosovës, zyrtarët e së cilës kanë treguar në kushte anonime se serbët gjatë rinovimit të pajisjeve në qendrën e radarëve në Kopaonik kanë interferuar edhe në aktivitetin e navigacionit të Kosovës.

Ndërkohë që në komunikatën e qeverisë së Kosovës nuk është dhënë asnjë shpjegim se të kujt janë radarët në Kopaonik, pasi sipas hartave zyrtare ai radar është në pjesën e Kosovës, ndërsa me të menaxhon Serbia.

Po ashtu, të kontaktuar nga “Top Channel” pak javë më parë në lidhje me këtë temë, as KFOR-i, as zëdhënësi i qeverisë nuk kanë dashur të flasin për këtë çështje zyrtarisht, ndërsa jozyrtarisht kanë pohuar se për ata radarë do të bisedohet në Bruksel.

Eksperti i sigurisë dhe drejtori i qendrës kosovare për studime të strategjisë Florian Qehaja kishte deklaruar për “Top Channel” se riaktivizimi nga ana e Serbisë i radarëve që ndodhen në territorin e Kosovës, përbënte shkelje të sovranitetit, për të cilën ai fajësonte forcat e NATO-s në Kosovë që janë përgjegjës për vijën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.

Ndërsa profesori i gjeografisë, Florim Isufi ka shpjeguar se si në bazën e të dhënave të gjeoportalit të Kosovës, që është hartë zyrtare dixhitale e shtetit, radarët tek Maja e Pançiçit shihen që janë brenda territorit kosovar. Madje ai shpjegoi se si Serbia ka ndërhyrë në gjeoportalin e saj dhe e ka devijuar kufirin pikërisht në atë pjesë ku ndodhet navigacioni.

Top Channel