Thaçi pret italianin Gentiloni, flitet për arritjet e Kosovës

23/12/2015 00:00

Shefi i diplomacisë kosovare, Hashim Thaçi mendon se, protestat e opozitës kundër dy marrëveshjeve janë vetëm justifikime për zgjedhje të reja, për të cilat Kosova nuk ka nevojë.

Këtë, ai ia ka thënë edhe homologut të tij italian, Paolo Gentiloni, gjatë takimit të përbashkët në Prishtinë.

“Diskutuam për arritjet e Kosovës në rrugëtimin e saj europian, me theks të posaçëm në nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Europian, si dhe për raportin pozitiv dhe hapat e fundit drejt liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Biseduam edhe për bashkëpunimin rajonal dhe rolin konstruktiv, që Kosova po luan në rajon”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Ndërsa në një njoftim të Ministrisë së Punëve të Jashtme thuhet se, ministri i Punëve të Jashtme të Italisë është interesuar edhe për situatën dhe zhvillimet e fundit në Kuvendin e Kosovës. Pas këtij takimi, Thaçi dhe homologu i tij italian nuk dhanë deklarata për median.

Sipas njoftimit për shtyp, ata u pajtuan që Kosova dhe Italia duhet të thellojnë bashkëpunimin në rrafshin ekonomik dhe atë të sigurisë.

Top Channel