Mustafa dënon sulmin me vezë ndaj ministrit Stavileci

23/12/2015 00:00

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka dënuar sulmin me vezë të një dite më parë, ndaj ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, nga aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, duke vlerësuar se akte të tilla janë jashtë çdo norme ligjore.

“Nuk është vetëm çështje gjuajtjeje me vezë, problem është çështja e deklarimit të Vetëvendosjes se ata nuk do t’i lënë rehat të punojnë qeverinë dhe anëtarët e saj. Askush nuk guxon dhe nuk ka të drejtë, që të përcaktojë rregulla të kufizimit të jetës së qeveritarëve të Republikës së Kosovës, të jetës së tyre private dhe publike. Kjo kapërcen çdo normë sjelljeje dhe çdo normë ligjore, ndaj dhe unë kërkoj në emër të qeverisë, që ata të ndërgjegjësohen, të sillen sipas ligjit dhe të respektojnë normat e këtij shteti dhe këtij vendi”, tha Isa Mustafa, kryeministër i Kosovës.

Këto deklarata, kryeministri Mustafa i bëri këtë të mërkurë në mbledhjen e qeverisë, ku u shqyrtuan dhe kaluan disa projektligje dhe propozimvendime, ndër të cilat edhe projektligji për kundërvajtje, ku parashikohet edhe heqja e dënimit me burg për këtë vepër.

Po ashtu u miratua edhe themelimi i Këshillit Nacional për Personat me Aftësi të Kufizuar, për të cilin zëvendëskryeministri, Kujtim Shala sqaroi se, në përbërje të këtij këshilli do të jenë të përfshirë zëvendësministra dhe përfaqësues nga shoqatat e personave me aftësi të kufizuara. Mustafa ka mbyllur mbledhjen e sotme të Qeverisë, duke njoftuar se mbledhja e fundit për vitin 2015 pritet të mbahet të hënën e ardhshme.

Ndërkaq, edhe dega e PDK-së dhe grupi i asambleistëve të kësaj force politike në Komunën e Prishtinës kanë dënuar sulmin me vezë kundër Stavilecit. Në një deklaratë për shtyp thuhet se, ky sulm është në vazhdën e sulmeve të Vetëvendosjes kundër PDK-së, ndërsa, duke kërkuar që fajtorët të dalin para drejtësisë, sulmet e tilla i ka quajtur dëshmi të mentalitetit anarkist.

Top Channel