Presidenti maqedonas, Gjorgje Ivanov i ka krahasuar ngjarjet e Kumanovës me sulmet terroriste në Paris. Në fjalimin e tij të përvitshëm, Ivanov tha se Maqedonia u la e vetme, që të ballafaqohej me ngjarjet e ndodhura më 9 dhe 10 maj në “Lagjen e trimave”, edhe përkundër ndihmës që kishte kërkuar nga vendet e BE-së dhe NATO-s, për kërcënimet e vazhdueshme terroriste.

“Më 9 maj, rendi dhe qetësia në Kumanovë u cënuan nga ekstremistë dhe terroristë, të cilët erdhën ta prishnin paqen, bashkëjetesën, demokracinë dhe rendin në Maqedoni. Qytetarët duhet ta kenë të qartë se, me aksionin e ndërmarrë në Kumanovë parandaluam kryerjen e sulmeve të koordinuara terroriste në disa qytete të Maqedonisë. Parandaluam masakra dhe gjakderdhje, siç ishin ato që ndodhën në Paris kohë më parë”, tha Gjorgje Ivanov, President i Maqedonisë.

Pjesën më të madhe të fjalimit, Ivanov ia kushtoi gjendjes së sigurisë. Ai tha se, përveç kërcënimeve nga jashtë, gjatë vitit 2015 Maqedonia është ballafaquar edhe me dy sfida të tjera serioze, siç ishin kriza politike dhe ajo me refugjatët. Në fjalimin e tij në Kuvend, që zgjati 40 minuta, Presidenti maqedonas nuk e përmendi fare skandalin e përgjimeve.

“Si pasojë e mungesës së përgjegjësisë politike, e pranuam ‘Marrëveshjen e Përzhinës’. Pranuam marrëveshje mes udhëheqësve të partive politike, të cilëve nuk u mjaftoi rendi kushtetues për t’u takuar, të ulen dhe të merren vesh. Në vend të institucioneve të shtetit, ata shkuan në vende të tjera dhe formate të tjera”, tha më tej Gjorgje Ivanov.

Fjalimi vjetor i Presidentit Ivanov u bojkotua nga deputetët e LSDM-së dhe BDI-së. Këta të fundit thonë se, Ivanovi nuk është president legjitim dhe nuk përfaqëson të gjithë qytetarët e Maqedonisë.

Top Channel