Asociacioni, Kushtetuesja përgënjeshtron mediat: S’ka përfunduar shqyrtimi

22/12/2015 00:00

Gjykata Kushtetuese e Kosovës nuk e ka përfunduar ende shqyrtimin e lëndës për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, dorëzuar nga Presidentja Atifete Jahjaga më 30 tetor të këtij viti.

Zëdhënësi i Kushtetueses, Veton Dula mohoi lajmin e publikuar në portalet kosovare se, vendimi tashmë është marrë dhe rezulton se krijimi i Asociacionit nuk bie në kundërshtim me aktin më të lartë juridik, Kushtetutën e Kosovës.

Derisa vendimi të publikohet, edhe qeveria deklaron se ka pezulluar të gjitha punët që çojnë në krijimin e Asociacionit. Megjithatë, nëpërmjet një komunikate për media bëhet e ditur se, para se të dorëzohej lënda në Kushtetuese nga presidentja, qeveria ka qenë duke punuar në dekretin për procedurat e krijimit të Asociacionit, të cilin po kështu do ta dërgonte në gjykatë për vlerësimin e kushtetutshmërisë, ashtu siç parashikon marrëveshja e 25 gushtit.

“E ndërsa qeveria po bëhej gati që dekretin në fjalë, i cili përmban tekstin integral të marrëveshjes për Asociacionin, ta dërgonte në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim, Presidentja e Kosovës më 30 tetor 2015 ndërmori veprimin, duke e dorëzuar pranë Kushtetueses për shqyrtim këtë marrëveshje”, thuhet në komunikatën e qeverisë, e cila vjen si reagim ndaj shkrimeve në media se, puna në themelimin e Asociacionit ka vazhduar duke e hartuar dekretin, pavarësisht faktit që lënda ndodhet në shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.

Këto të dhëna, ekzekutivi i ka paraqitur në një raport për zbatimin dhe sfidat e marrëveshjeve me Serbinë, dërguar Bashkimit Europian. Në këtë raport, veç të tjerash thuhet se, sa i përket Asociacionit, zbatimi do të rifillojë në pajtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Raporti përmban edhe shqetësimin e qeverisë së Kosovës për praninë e strukturave paralele të Serbisë, përkundër dialogut. Theksohet se, Kosova kushtëzon themelimin e Asociacionit me largimin e plotë të këtyre strukturave.

“Në mënyrë që zbatimi të përparojë ndjeshëm, Serbia duhet ta heqë Kosovën nga Kushtetuta e saj, për të treguar qëndrueshmëri në angazhimin e saj për dialogun e Brukselit dhe për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, siç parashikohet edhe në kapitullin e 35 të negociatave për anëtarësim në BE”, përfundon raporti i qeverisë dërguar Bashkimit Europian, për zbatimin dhe sfidat e marrëveshjeve me Serbinë.

Top Channel