Van Gaal rrezikon, idea Mourinho përpara 28 dhjetorit…kundër Chelseat

21/12/2015 00:00

Në Angli mund të ndodhë, ajo që në Itali konsiderohet si “mollë e ndaluar” nga rregullorja: fakti që një trajner mund të kalojë nga një skuadër te një tjetër, brenda të njëjtit sezon, në të njëjtin kampionat.

E sigurisht që hamendësimi i parë lidhet menjëherë me të saposhkarkuarin nga Chelsea, portugezin Jose Mourinho. Por në cilin klub futbolli? Historia nis thjesht nga një ide mbresëlënëse, por që shumë shpejt, fiks pas një jave, më 28 dhjetor, nga një “shkëndijë” e parë mund të rezultojë edhe si diçka e realizueshme.

“Djajtë e kuq” të Manchester United, në këtë datë “për t’u mbajtur mend” do të ndeshen ndaj “bluve” londinezë të Chelseat dhe…ata mund të drejtohen pikërisht nga portugezi Mourinho, enkas në sfidën përballë atyre nga të cilët u largua vetëm një javë më parë.

Tabloidët britanikë kanë hedhur shumë hipoteza, të gjitha me të njëjtën bazë: Louis van Gaal i ka orët e numëruara në Angli, duke qenë se vjen nga humbja me Norwich dhe me diferencën -9 pikë nga kreu i renditjes, i mbajtur nga Leicester. Sipas medias britanike ekziston mundësia që klubi nga Manchesteri ta shkarkojë holandezin përpara Krishtlindjes, ndoshta edhe një ditë pas saj, kur United do të sfidojë Stoke City në ditën e dhuratave, apo “Boxing Day” siç njihet në Angli e SHBA.

Sipas “the Sun”, drejtuesit e “djajve të kuq” kanë kontaktuar tashmë me Mourinhon dhe, në rast të një tjetër humbjeje, situata mund të precipitonte deri në largim të holandezit dhe zëvendësimin e tij të menjëhershëm me portugezin.

Mbetet ende një hipotezë, edhe pse jo e pamundur, pasi kalendari i “Premier League” gjatë festave të fundvitit është tepër i ngjeshur, ndryshe nga të tjerët që bëjnë pushime. Pas Stokes, United do të presë Chelsean në “Old Trafford”, vetëm me dy ditë diferencë. Kjo e bën tepër të vështirë që brenda një dite të thirrej “Special One”, të bindej të firmoste kontratën, të njihej me skuadrën dhe ditën tjetër të ulej në pankinë për ta udhëhequr atë kundër “bluve”, ish-skuadra e tij.

Megjithatë, tifozët e Chelseat kanë nisur të frikësohen, pasi diçka e tillë do të ishte “një goditje në zemër”, duke parë ish-trajnerin e tyre të vlerësuar kaq shumë si “armik”, ndërkohë që vet Guus Hiddink do të ishte në tribunë.

Top Channel