Ancelotti nis punën, ndjek lojtarët dhe studion skemat

21/12/2015 00:00

Aventura e re e Carlo Ancelottit quhet Bayern i Mynihut. Italiani duhet të presë 6 muaj që të ulet në një prej pankinave më prestigjoze të futbollit botëror dhe për të do të jetë një eksperiencë krejtësisht ndryshe nga ajo që ai ka përjetuar deri tani në kampionatet e tjera të rëndësishme europiane.

Sipas asaj që publikohet te e përditshmja “La Gazzetta Dello Sport”, Ancelotti nuk duket aspak i trembur nga kjo sfidë e re.

“Kam filluar të punoj me Simutenkov dhe Gregucci te Reggiana dhe arrita të stërvis lojtarë të tillë si Ibrahimovic e Ronaldo dhe kjo do të thotë se kam bërë shumë rrugë deri tani”, u shpreh Ancelotti.

Për të mos u gjetur i papërgatitur, Ancelotti ka filluar menjëherë punën duke ndjekur lojtarët, duke studiuar skemat që duhet të aplikojë dhe duke mësuar gjuhën gjermane, kjo sepse për trajnerin italian do të jetë e rëndësishme që lojtarët e tij të arrijnë të kuptojnë sivc duhet idenë e tij të të luajturit futboll.

Komunikimi është një prej sekreteve të teknikut emiljan në vendosjen e raporteve të konsoliduara me ata që e rrethojnë dhe këtë e vërteton edhe fakti që shumë prej personaliteteve të futbollit europian, mes të cilëve edhe Ibrahimovic apo Ronaldo, i kanë uruar suksese 56-vjeçarit në këtë aventurë të tij.

Top Channel