Kriza e Manchester United, Van Gaal “etiketohet” si fajtori

20/12/2015 13:45

Gjërat për Manchester United po përkeqësohen akoma më shumë në këtë pjesë të parë të sezonit. Tashmë, trajneri Louis van Gaal është vënë në bankën e të akuzuarve nga media sportive britanike, duke rrezikuar seriozisht postin e tij në pankinën e “Djajvë të Kuq”, rrezik ky që u rrit akoma më shumë pas humbjes në “Old Trafford” me Norwich.

Manchester United bëri blerje të rëndësishme si Martial, Depay e Schweinsteiger, por rezultatet në fushën e lojës nuk ishin ato që priteshin. Statistikat e “Djajve të Kuq” në këtë sezon flasin qartë. Duke marrë parasysh kampionatin dhe Ligën e Kampioneve, Manchester United nuk fiton prej 7 ndeshjesh, madje 3 të fundit ishin disfata. Për më tepër, për Manchester United i vetmi ngushëllim është pikërisht Europa League.

Në kampionat, “Djajtë e Kuq” janë në vendin e pestë dhe situata nuk është plotësisht e kompromentuar, por gjithsesi nuk mund të flitet për një nisje të kënaqshme të sezonit.

Media nuk ka asnjë dyshim: fajtori për këtë situatë është Van Gaal, i cili në 18 muaj bëri që klubi anglez të shpenzojë 350 milionë euro në merkato, por pa marrë përfitimin e duhur nga ky investim. Në këtë pikë, shkarkimi i holandezit nuk është më një hipotezë e sidomos tani që i lirë është edhe portugezi Jose Mourinho.

Top Channel