Opozita, protestë në Prizren: Dy marrëveshjet nuk kalojnë

19/12/2015 17:15

Opozita në Kosovë ka kërkuar mbështetjen e qytetarëve të Prizrenit për të ndaluar zbatimin e dy marrëveshjeve, krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe dhe demarkacionin me Malin e Zi.

Në manifestimin e radhës të mbajtur këtë të shtunë në Prizren, kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri kujtoi mes të tjerash se në krye të komunës së Prizrenit vazhdon të jetë një person ndaj të cilit ka një vendim gjykate që e dënon për korrupsion.

“Ju, qytetarë të Prizrenit, e dini shumë mirë se çfarë do të thotë të kesh kryetarin e komunës edhe të korruptuar, edhe të dënuar, por edhe në pushtet. Po ashtu, ju e dini se çfarë do të thotë të keni politikanë të korruptuar të cilët janë në pushtetin qendror dhe e kanë uzurpuar këtë pushtet. Dje, prokurorët dhe gjykatësit e këtij pushteti ua kanë vazhduar edhe për 60 ditë paraburgimin. Regjimi policor i treshes famëkeqe Isa Mustafa, Hashim Thaçi e Kadri Veseli është ngritur kundër popullit, sepse është ngritur kundër përfaqësuesve të qytetarëve të kësaj Republike”, deklaroi Ymeri.

Kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj tha se opozita do të qëndrojë e bashkuar në kundërshtimin e marrëveshjes, deri në anulimin përfundimtar të saj.

“Por ne, gjithashtu nga Prizreni iu çojmë porosinë dhe mesazhin se opozita do të qëndrojë e bashkuar deri në arritjen e këtyre objektivave. Porosia tjetër është se nuk ka asnjë mas represive, as burgosje, as dhunime që të mund t’i ndalë deputetët e Parlamentit të Kosovës, opozitës së bashkuar, për ta pamundësuar realizimin e këtyre dy marrëveshjeve. Ne e dimë që kjo do të ndodhë. Ju kujtohet se ata për Jabllanoviçin u detyruan të presin tre apo katër muaj për ta shkarkuar!? Unë nuk e di pse po e vonojnë edhe këtë punë?! Këtu vonesë ka, po shpëtim s’ka. Këto marrëveshje nuk kalojnë”, tha Limaj.

Ndërsa në vend të Ramush Haradinajt, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare, qytetarëve iu drejtua sekretari i AAK-së, Blerim Kuçi. “Edhe këtë herë liderët opozitarë kërkuan lirimin e deputetëve të burgosur dhe aktivistëve të tjerë politikë. Protesta opozitare në kundërshtim të dy marrëveshjeve do të rikthehet në Prishtinë më 9 janar 2016”, tha Kuçi.

Top Channel