Vizat për Kosovën, Bushati: I mundshëm plotësimi i kushteve, liberalizimi i afërt

19/12/2015 15:35

Një ditë pasi Komisioni Europian i dha Kosovës shansin e liberalizimit të vizave në 2016 në përmbushje të disa kushteve, pritshmëria e Tiranës është optimiste për realizimin e këtij objektivi.

Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati argumenton këtë optimizëm me faktin se për herë të parë pas disa refuzimeve, Kosovës i njihen progresi i arritur dhe raporti balancon arritjet dhe evidenton qartëesisht kushtet, çka ndodh për herë të parë.

“Është realiste që të presim që në vitin 2016 ëndrra e qytetarëve të Kosovës për të lëvizur pa viza në hapësirën Shengen të jetësohet”, tha Bushati.

Vendimi për heqjen e vizave është sa teknik dhe politik, thotë Bushati i pyetur se kush peshon më shumë në një vendimmarrje të Brukselit. Së pari, qeveria e Kosovës duhet të përmbushë kushtet që lidhen me luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit, transparencës qeverisëse e menaxhimit të kufijve, por nga ana tjetër edhe vetë situata brenda BE-së duhet të kihet parasysh, dhe kjo veçanërisht në një rast si i Kosovës, shtet që ende nuk njihet nga 5 vende anëtare.

“Kemi një gjykimin, në kuptimin e pastër teknik, por kemi dhe konsiderata politike për këto procese, në varësi të rrethanave në të clat ndodhet vetë BE-ja. Por fakti që KE do të nisë së shpejtë të njëjtin proces me Turqinë, na mbush me shpresa që në 2016 do të kemi jetësim të këtij procesi për Kosovën, dhe gjithashtu uroj dhe shpresoj që dhe situata aktuale politike në Kosovë të tejkalohet dhe të mos krijojë asnjë lloj problematike në raport me përmbushjen e këtij objektivi që besoj se është një objektiv mbarëqytetar”, tha Bushati.

Top Channel