Çollaku kundër Zhbogar: Liberalizimi nuk varet prej tij

19/12/2015 13:55

Ministri për Integrim Europian, Bekim Çollaku, iu ka kundërpërgjigjur përfaqësuesit të posaçëm të BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, i cili ka thënë se nuk dihet nëse edhe vitin e ardhshëm qytetarët e Kosovës mund të lëvizin lirshëm.

Sipas Çollakut, deklaratat e Zhbogarit nuk janë të rëndësishme pasi liberalizimi i vizave nuk varet nga ai.

Çollaku, në një konferencë për media, në të cilën dha detaje lidhur me raportin përmbyllës të Komisionit Europian për procesin e liberalizimit të vizave, është shprehur i bindur që në fillim të vitit të ardhshëm, Kosova do të hyjë në zonën e Shengenit dhe për këtë qytetarët nuk duhet të shqetesohen për zvarritjen e saj.

Ai tha se ky raport është i fundit sepse punët janë kryer dhe të gjitha kriteret janë plotësuar qindpërqind duke e arsyetuar se vlerësimet e këtyre kritereve janë bërë në muajin shtator.

Çollaku shtoi se nëse dje do të vinte një eksperte, këto tetë rekomandime kanë qenë të plotësuar, por ata nuk kanë ardhur sepse vlerësimet janë bërë në muajin shtator.

“E thash, komisioneri e tha qartë që ky raport është pozitiv dhe pritet shpejtë që në fillim të vitit të ardhshëm të fillohet me punë tjera dhe këto të përfundojë”, tha Çollaku.

Sa i përket kriterit të Demarkacioni me Malin e Zi, ai tha se ai është kriter monitorues. Ndërsa, për çështjen e luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit, ai tha se kjo është çështje që nuk përfundon me kriterin e liberalizimit të vizave.

Top Channel