Wolff: Hamilton-Rosberg, dyshja ideale

18/12/2015 13:35

“Hamilton-Rosberg është dyshja ideale e pilotëve për Mercedesin”. Kjo është ajo që ka deklaruyar Toto Wolff, i cili hodhi edhe njëherë poshtë zërat që flisnin për ndryshime të mundshme te skuadra gjermane.

Mercedesi ishte dominues gjatë vitit 2015, pavarësisht se harmonia në ekip në disa raste u cënua disi nga disa polemika mes 2 pilotëve, por sipas Wolff këto diferenca vetëm sa e ndihmojnë Mercedesin të bëhet më i fortë.

“Nëse do të kishim 2 Hamilton, situata do të kishte shpërthyer dhe e njëjta gjë mund të thuhet nëse do të kishim 2 Rosberg. Kombinimi mes këtyre pilotëve është diçka pozitive. Është situata ideale për ne edhe pse në momente të caktuara na i vështirëson gjërat. Pikërisht fakti që ata janë krejtësisht të ndryshëm nga njëri-tjetri na ndihmon që të jemi më të mirë”, u shpreh Wolff.

Hamilton e siguroi titullin kampion në Formula 1 në Çmimin e Madh të SHBA-së, por pas kësaj, në 3 garat e fundit ishte Rosberg ai që u shfaq më mirë, duke i fituar ato. Sipas Wolff, kjo rënie në formë e Hamiltonit në fundin e sezonit që sapo u mbyll, nuk ishte aspak shqetësuese për Mercedesin.

“Hamilton e arriti objektivin e tij, e siguroi titullin dhe i dha vetes mundësi që të qetësohet disi, edhe pse kjo ndoshta ndodhi në mënyrë të pavetëdijshme. Por kjo nuk do të thotë se unë mohoj meritat e Rosbergut. Kjo tregon edhe njëherë se ne kemi në skuadër dy pilotë që do të bëjnë paraqitjet e tyre më të mira edhe për vitin tjetër”, tha Wolff.

Top Channel