Ferrari kërkon Volkswagen në Formulën 1

18/12/2015 12:30

Ferrari kërkon hyrjen e Volkswagenit në Botërorin e Formulës 1. Presidenti i “Kokëkuqes” italiane, Sergio Marchionne e pohoi këtë në një intervistë për “Autosport”, duke vënë në dukje se do të ishte diçka pozitive sikur në këtë kampionat të kishte më shumë skuadra.

Gjatë këtij viti u fol shumë për mundësinë e përfshirjes në Formulën 1 të kësaj kompanie të prodhimit të makinave, por zërat u zbehën disi pas shpërthimit të skandalit për emetimin e gazeve. Gjithsesi, kjo nuk e pengon Marchionnen të deklarojë se Volkswagen e ka një vend në Formulën 1 në të ardhmen.

“Pavarësisht problemeve me të cilat po përballet Volkswagen, unë gjithnjë i kam inkurajuar drejtuesit e saj që të bëhen pjesë e botës së Formulës 1. E çuditshme që ky botëror të mos e ketë një kompani kaq të rëndësishme. I kam inkurajuar edhe drejtuesit e General Motors, gjithnjë dëshiroj ta bëj këtë. Do të ishte diçka e mirë për Formulën 1, për ne dhe për vetë Volkswagenin. Ky kampionat ka nevojë të ketë më shumë skuadra”, tha Marchionne.

Top Channel