Kush gjen një mik, gjen një thesar

17/11/2015 00:00

Sa herë e pyesni veten, a është miqësi e duhur kjo që keni aktualisht? Në një proces fare normal, njerëzit njihen, ndajnë kohën, pasionet, kulturën dhe befas aktiviteti i përditshëm social të bën të afrohesh me tjetrin, e ta quash mik apo mikeshë.

Sociologët thonë se, nëse një miqësi i kalon 4 vitet e para, ajo ka shumë gjasa të jetë e përjetshme. Por a është i vërtetë ky përfundim? Studimet janë përpjekur të sqarojnë se në ç’mënyrë, rrethanat e takimit të personave ndikojnë në zgjatjen e një miqësie.

Gjatë një hulumtimi, ku u intervistuan rreth një mijë persona të rastësishëm, të grupmoshave 15-65 vjeç, ata u pyetën se cilët ishin miqtë e tyre më të mirë, kë takonin më shpesh dhe ku, ata me të cilët ndanin sekretet dhehobet.

Pas 7 vitesh, të njëjtët persona janë ripyetur, me qëllimin për të krahasuar intervistat. Vetëm 48 për qind e miqësive të vjetra ishin ende pjesë e jetës së të intervistuarve dhe vetëm 30 për qind e tyre kishin të njëjtën rëndësi si 7 vite më parë.

Numri i miqësive ishte mbajtur i qëndrueshëm, por edhe ishte pasuruar me njohje të reja. Sipas përgjigjeve rezultoi se, edhe konteksti social kishte rëndësi në krijimin e lidhjeve, qoftë miqësie sipërfaqësore, ashtu dhe raporte më të rëndësishme të konsoliduara.

Pavarësisht kombësive të njerëzve apo kohës së studimit, sipas sociologëve, një gjë është thelbësore: në mbajtjen e miqësisë ndikojnë së tepërmi takimet e vazhdueshme.

Top Channel