Kosovë, seanca e fundit mbyllet pa opozitën

17/12/2015 00:00

Seanca e fundit e sesionit të vjeshtës në Kuvendit të Kosovës u mbajt në sallën alternative, pa gaz lotsjellës, por edhe pa deputetët e opozitës, të cilët nuk u njoftuan dhe nuk u lejuan nga sigurimi i Kuvendit të futeshin në sallë.

Në kohën kur po zhvillohej seanca në sallën alternative, deputetët opozitarë kanë qëndruar në sallën e seancave plenare.

Deputetët opozitarë e cilësuan seancën, si një mbledhje të jashtëligjshme të partive në pushtet, duke shtuar se në këtë seancë opozita ishte e interesuar të debatonte.

“Të gjitha këto që ata i quajnë seanca, nuk janë të tilla, por janë takime ilegale dhe sërish në mënyrë ilegale ata po vazhdojnë të procedojnë ligje të Parlamentit të Kosovës nëpër të tilla takime”, tha Rexhep Selimi, deputet i VV-së.

“Ne sot kemi dashur të debatojmë, sepse është një fundvit i punës së Kuvendit. Kemi dashur t’i numërojmë të gjitha të këqijat, që kanë ndodhur gjatë një viti qeverisjeje të Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit”, tha Time Kadrijaj, nga AAK.

Lënien jashtë të deputetëve opozitarë nga seanca, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci e ka arsyetuar me faktin se, kjo seancë ishte vazhdim i asaj të kaluar, nga e cila opozita ishte përjashtuar.

“Nuk kishim seancë të re, por vazhdimin e seancës së kaluar. Ndaj dhe ishte në fuqi edhe pezullimi apo largimi i deputetëve të opozitës, të gjithë atyre që kanë penguar zhvillimin e punimeve të Kuvendit. Në seancën e re, kur ta kemi, normalisht që nuk do të vlejë më ajo masë dhe ata do të informohen”, tha Adem Grabovci, kryetar i grupit parlamentar të PDK-së.

Gjatë seancës së fundit në Kuvend, jashtë rendit të ditës, deputetëve iu drejtua zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi, i cili e cilësoi si marrëzi dhe provokim të rëndë vonesën për liberalizimin e vizave nga Bashkimi Europian.

“Dua të shpreh zhgënjimin e thellë për vonesat tërësisht të pakuptimta të Bashkimit Europian, për liberalizimin e vizave për Kosovën. Dua ta konsideroj edhe si provokim të rëndë dhe rezultat të paaftësisë dhe mungesës së vullnetit politik të udhëheqësisë në Bruksel. Këto vonesa absurde dhe të qëllimshme janë të padrejta për Kosovën, por në të njëjtën kohë edhe mund të nxisin fenomene negative për vendin tonë, e përsëri të akuzohemi dhe të bllokohemi apo të fajësohemi ne”, tha Hashim Thaçi, zv.kryeministër i Kosovës.

Në fund të kësaj seance, mazhoranca emëroi 8 anëtarët e bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, me 64 vota pro, 6 kundër dhe 3 abstenime.

Top Channel