Fjalimi i fundit para Kuvendit, Jahjaga: Propozimet e mia për krizën janë refuzuar

17/12/2015 11:40

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka kritikuar ashpër përfaqësuesit e klasës politike për krizën politike dhe bllokadën e krijuar në institucione, ndërsa deputetët e opozitës bojkotuan fjalimin e saj.

Jahjaga e ka shfrytëzuar seancën plenare të adresimit vjetor para deputetëve, për t’u bërë thirrje sërish qeverisë, në njërën anë, dhe opozitës, në anën tjetër, që të ulen urgjentisht dhe të gjejnë një zgjidhje përmes dialogut.

“Në këtë Kuvend, qytetarët e Kosovës, në vend që të gëzojnë mundësinë historike të fituar me shumë mund e sakrificë nga gjenerata të tëra, për të qenë zotër të vetvetes e për ta çuar vendin e tyre përpara, u shndërruan në spektatorë të një tensionimi të skajshëm, të një tronditjeje të thellë, të një dhune të pashembullt, të një arrogance të paparë në historinë tonë të re. Në këtë moment kritik për të ardhmen e Kosovës, a kemi nevojë për një çarje të tillë? I kam takuar parreshtur, individualisht dhe bashkërisht, si përfaqësuesit e pozitës ashtu edhe të opozitës, për të gjetur një rrugëdalje nga kjo krizë. Vazhdimisht kam bërë thirrje për rivendosjen e dialogut politik mes pozitës dhe opozitës, mirëpo kërkesa ime gjithnjë është refuzuar apo kushtëzuar”, tha Atifete Jahjaga, Presidente e Kosovës.

Jahjaga tha se, gjatë takimeve me krerët e subjekteve politike ka prezantuar alternativa konkrete për daljen nga kriza, pas marrëveshjeve me Serbinë dhe Malin e Zi. Ajo shtoi se, pikërisht për këtë arsye e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese “Asociacionin e komunave me shumicë serbe”, ndërsa ka propozuar komision “ad hoc” për rishikimin e demarkacionit me Malin e Zi.

Edhe pse përplasjet politike po vazhdojnë, Jahjaga i ka përgëzuar qytetarët, që nuk janë bërë pjesë e përplasjeve.

“Shfrytëzoj rastin të përgëzoj qytetarët e Kosovës, që me durimin dhe mençurinë e tyre refuzuan të bëhen pjesë e kësaj përplasjeje, duke u ngritur mbi të, duke bërë presion të vazhdueshëm te ju, te të zgjedhurit e tyre, që t’i lini mënjanë armiqësitë personale e konceptuale dhe t’i kthehen dialogut me njëri-tjetrin. Forcën e argumentit nuk mund ta zëvendësojë gazi lotsjellës. As nuk mund ta reduktojmë në numra demokracinë tonë. Niveli i demokracisë sonë dhe kualiteti i saj do të përcaktohen nga dialogu mes pozitës dhe opozitës”, tha Atifete Jahjaga, Presidente e Kosovës.

Pas kritikave për klasën politike, kryetarja e vendit i luti edhe njëherë ata, që të ulen dhe të bëjnë kompromis për të mirën e qytetarëve, sigurisht duke ndalur bllokadën e shtetit.

Në seancën plenare të mbajtur enkas për adresimin e Presidentes, ajo foli edhe për vonesat e Bashkimit Europian ndaj Kosovës për liberalizimin e vizave, për të cilën tha se është e dëshpëruar, madje i bëri thirrje Brukselit për të reflektuar në të mirë të qytetarëve të Kosovës. Fjalimin e fundit para Kuvendit, Jahjaga e mbylli me nota emocionale dhe me konfirmimin se, nuk kandidon më pasi t’i mbarojë mandati pranverën e vitit që vjen.

“Ky adresim është i fundit i imi përpara këtij Kuvendi, në prag të përmbylljes së mandatit tim si Presidente e Republikës së Kosovës. Në këto 5 vite nuk ka pasur nder më të madh për mua, sesa të jem Presidentja e Kosovës. Ua them me kuptimin e plotë të fjalës se, nuk ka pasur privilegj më të madh, sesa të qëndroj në krye të një shoqërie, që nën represion, spastrim etnik dhe kërcënim të vet ekzistencës, asnjëherë nuk u zbraps nga ëndrra e të bërit shtet”, tha Atifete Jahjaga.

Top Channel