“Efekt domino” në pankina

17/12/2015 11:20

“Efekti domino” prek merkaton e trajnerëve, ku protagonistë kryesorë janë Pep Guardiola e Carlo Ancelotti. Sipas asaj që publikohet te e përditshmja italiane “Corriere della Sera”, trajneri italian do të marrë drejtimin e Bayern Munchen, madje mësohet se ish-tekniku i Realit të Madridit ka nënshkruar edhe një parakontratë me klubin bavarez, ku do të zëvendësojë Pep Guardiolën.

E ardhmja e trajnerit spanjoll flitet se është në kampionatin anglez, ku në garë janë Chelsea dhe dy skuadrat e Mançesterit, City dhe United, të cilat janë gati të shpenzojnë shifra marramendëse për të siguruar shërbimin e 44-vjeçarit. Në “pole position” në këtë pikë qëndron pikërisht Manchester City që i garanton Guardiolës një pagë prej rreth 20 milionë eurosh në vit, që do ta bënte atë trajnerin më të paguar në historinë e futbollit.

Ndërsa Manchester United do të kërkojë ta bindë spanjollin të vijë në “Old Trafford”, duke tentuar edhe blerjen e Robert Lewandowskit. Sipas “Bild”, “Djajtë e Kuq” janë gati t’i ofrojnë sulmuesit polak një kontratë me një pagë prej 15 milionë eurosh në sezon.

Përsa i përket Chelsea, klubi londinez është më i distancuar në këtë pikë. Kampionët e Anglisë po jetojnë një moment shumë delikat, pasi janë pranë zonës së rënies nga kategoria dhe shkarkimi i Mourinho nuk është më një hipotezë. Roman Abramovich duket se ka filluar gjetjen e zëvendësuesit të portugezit dhe së fundmi po flitet shumë për një rikthim të Ranierit, i cili mund të largohet nga Leicester në fund të sezonit, duke paguar një dëmshpërblim prej 3 milionë eurosh.

Top Channel