Kuvendi i Kosovës mblidhet të enjten, e pranishme dhe Jahjaga

16/11/2015 17:35

Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sërish të enjten dhe pritet të zhvillojë dy seanca plenare.

Në seancën e parë që fillon nga ora 11:00 është parashikuar që Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga t’u adresohet deputetëve, sipas detyrimit kushtetues që ka për adresim një herë në vit.
 
Në këtë seancë, pjesëmarrjen e tyre e kanë konfirmuar gjatë ditëve të fundit edhe deputetët e opozitës, ndërsa nuk kanë dhënë qëndrimin përfundimtare nëse do të lejojnë adresimin e presidentes apo jo.
 
Liderët e opozitës kanë deklaruar një ditë më parë se qëndrimin përfundimtar do ta japin para fillimit të seancës.
 
Menjëherë pas përfundimit të fjalimit vjetor të Presidentes, Kuvendi pritet të vazhdojë seancën e së hënës  që u ndërpre për mungesë kuorumi, e ku kanë mbetur për miratim disa pika të rendit të ditës.
 
Për këtë seancë, opozita ka paralajmëruar se do të bëjë bllokadë si në seancat e kaluara për ta pamundësuar zhvillimin normal të saj.

Top Channel