Ndotja e ajrit, Komuna e Tetovës vendim për mbylljen e shkollave

16/11/2015 00:00

Për shkak situatës së rëndë të krijuar nga ndotja e lartë e ajrit në Tetovë, kryetarja e komunës Teuta Arifi, të mërkurën ka sjellë vendim për ndërprerjen e procesit mësimor në shkollat fillore dhe ato të mesme të qytetit.

“Të vetëdijshëm për seriozitetin e situatës si dhe për implikimet e negative nga ndotja e ajrit ndaj shëndetit të nxënësve, kjo masë hyn në fuqi nga dita e sotme dhe do të zgjasë deri në përfundimin e gjysmë vitit shkollor”, tha Teuta Arifi, kryetare e Komunës së Tetovës.

Këtë vendim zonja Arifi e ka marrë në ditën e dytë të protestave kundër ndotjes që u organizuan nga nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme para ndërtesës së komunës së Tetovës. Një ditë më parë edhe organizatat joqeveritare për mbrojtjen e mjedisit kanë kërkuar ndërprerjen e mësimit.

“Kemi dal para komunës për të protestuar dhe për të kërkuar ajër të pastër dhe shpresojmë që zëri ynë të dëgjohet”.

“Ju lutemi të gjithë udhëheqësve të komunës, shtetit, që të na e zgjidhin problemin dhe të na e bëjnë më të lehtë jetën”.

Matjet e fundit në rajonin e Tetovës tregojnë se prania e grimcave të dëmshme në ajër PM 10 është 20 herë më e lartë se limiti i lejuar. Përfaqësuesit e sektorit civil kanë ftuar qytetarët në protesta ditën e enjte dhe të premte për të kërkuar mbylljen e kombinatit të “Jugohromit” që llogaritet si ndotësi kryesor i ajrit.

Top Channel