Futbollistët shqiptarë në merkato. 3 skuadra interesohen për Rei Manajn

16/12/2015 10:50

Rej Manaj po i shfrytëzon ato mundësi që i jepen nga trajneri Roberto Mançini për të spikatur në fushën e lojës dhe kjo u pa edhe në sfidën e Kupës së Italisë që Interi luajti ndaj Kaljarit. Sulmuesi 18-vjeçar i ardhur në verë te Interi nga Kremoneze luajti për 90 minuta në këtë ndeshje dhe paraqitja e tij ishte shumë pozitive, edhe pse nuk shënoi. Kjo ka bërë që në orët e fundit të shtohet interesimi i skuadrave të tjera për të. Sipas asaj që publikohet te e përditshmja italiane “La Gazzetta dello Sport”, skuadrat që dëshirojnë të blejnë kartonin e Manajt janë Frozinone, Xhenoa dhe Bolonja.

Interi kërkon ta mbajë në radhët e saj edhe në muajin janar Manajn, por në rast se gjatë kësaj periudhe zikaltrit do të blejnë një tjetër sulmues, atëherë për Manajn bëhet i paevitueshëm largimi nga Milano. Për më tepër, talenti 18-vjeçar nga Lushnja mund ta marrë parasysh këtë opsion, duke qenë se kërkon të aktivizohet sa më shumë për të bindur trajnerin De Biasi ta grumbullojë në kombëtare për në Evropianin e Francës.

Një tjetër futbollist i përfaqësueses shqiptare që po përflitet shumë në merkato është edhe Taulant Xhaka, i cili është vënë në  shënjestrën e Fiorentinës. Është trajneri Paulo Soza ai që këmbëngul për të sjellë në Firence futbollistin shqiptar, duke qenë se e njeh shumë mirë 24-vjeçarin, pasi ka punuar me të kur ai ishte në drejtimin e skuadrës zvicerane të Bazelit.

Top Channel