Kush e ka shumë për zemër luftën politike, ndoshta duhet të marrë në konsiderate edhe ndonjë pauzë reflektimi. Kryetarët e shteteve, sipas një studimi të publikuar nga “British Journal of Medicine”, jetojnë 2.7 vjet më pak dhe rrezikun e vdekjes së parakohshme e kanë 20% më të lartë sesa ata që nuk janë ulur kurrë në poltronën e Presidentit.

Hartuesit e raportit kanë dalë në këtë përfundim pas shqyrtimit të të dhënave historike nga 17 vende të ndryshme të botës. Anupam Jena, asistent profesor në “Harvard Medical School” dhe njëkohësisht iniciator i këtij studimi, kujton se kërkimet e mëparshme mbi presidentët në raport me pjesën tjetër të popullatës nuk kanë zbuluar asgjë të jashtëzakonshme.

Por këtë herë, sqaron ai, është marrë parasysh fakti që njerëzit e thjeshtë nuk kanë qasje ndaj atij lloj kujdesi shëndetësor për kancerin që pati Jimmy Carter e nuk operohen dot nga kirurgë zemre të atij niveli që ka në dispozicion Bill Clinton.

Ndonëse në vetvete ulja e pritshmërisë së jetëgjatësisë me 2.7 vjet nuk duket ndonjë gjë e madhe, në aspektin mjekësor ajo ka mjaft rëndësi thotë Jena, i cili nuk lë pa përmendur edhe pasojat që pesha e drejtimit të një kombi ka tek pamja e jashtme e tyre.

“Mund të nxjerrësh shumë përfundime mbi shëndetin e dikujt duke parë sesi tregon”, shprehet ai.

Studimi nuk e shpjegon dot me saktësi përse politika mund të ndikojë në tkurrjen e jetëgjatësisë, por si dy faktorët më të mundshëm të këtij fenomeni evidenton stresin dhe mungesën e kohës në dispozicion për një jetë sa më të shëndetshme.

Top Channel