Maqedoni, marrëveshje mes 4 krerëve për Komisionin e Zgjedhjeve

15/12/2015 00:00

Gjatë një takimi që zgjati rreth 3 orë, udhëheqësit e 4 partive kryesore në Shkup arritën të zhbllokojnë bisedimet për përbërjen e plotë të Komisionit Shtetëror Zgjedhor, duke tejkaluar dallimet midis tyre rreth emërimit të 3 ekspertëve të pavarur në këtë institucion.

Përmes një deklarate të përbashkët me shkrim, Nikola Gruevski nga VMRO-DPMNE-ja, Zoran Zaev nga LSDM-ja, Ali Ahmeti nga BDI-ja dhe Menduh Thaçi nga PDSH-ja, i kanë bërë thirrje Parlamentit t’i finalizojë sa më parë procedurat e nevojshme, me qëllim që KSHZ-ja të fillojë punën dhe të marrë përsipër detyrimet për përgatitjen e zgjedhjeve demokratike.

Pas takimit, para gazetarëve është prononcuar vetëm ndërmjetësi i BE-së në këto bisedime, Piter Vanhoute, i cili është shprehur i kënaqur nga marrëveshja e arritur nga krerët politikë.

“Shpresoj që këto të jenë hapa të vërtetë për të ecur përpara, sepse kemi shumë punë për të bërë për zgjedhjet. Shpresoj gjithashtu që ditëve në vijim, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve të emërojë fillimisht stafin tjetër të nevojshëm, për të funksionuar siç duhet. Në ditët në vijim do të vazhdojnë bisedimet për temat e tjera, që kemi në agjendë. Shpresoj që do të arrijmë përparim për të gjitha temat shumë të rëndësishme, që zgjedhjet e vitit të ardhshëm të jenë të suksesshme”, tha Piter Vanhoute, ndërmjetësi i BE-së në bisedimet për marrëveshjen e 2 qershorit.

Kompletimi i përbërjes së Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve është një pikë nga marrëveshja e 2 qershorit, për zbatimin e së cilës kanë rënë dakord krerët politikë në vend. Ditët në vijim, përfaqësuesit e 4 partive politike do të vijojnë negociatat edhe për reformat në fushën e medias.

Top Channel