Aksident rrugor në Qafë Thanë, at e bijë të plagosur

14/12/2015 00:00

Një aksident rrugor i ndodhur orët e pasdites së të hënës, në aksin rrugor Qafë Thanë-Pogradec, ka lënë dy persona të plagosur, njërin prej të cilëve në gjendje të rëndë.

Nga raportimi paraprak, mësohet se në aksident janë përfshirë dy automjete; njëri kamion me targa OH 447 IM, me rimorkio me targë OH 320 IJ, që drejtohej nga shtetasi Fatmir Rakimovski, 55 vjeç, dhe tjetri tip “Peugeot”, me targa AA 570 IF, të drejtuar nga shtetasi V.H., 50 vjeç.

Mësohet se drejtuesi i kamionit ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga, duke u përplasur me autoveturën, ku për pasojë kanë mbetur të plagosur drejtuesi V.H. dhe vajza e tij, SH.H., 20 vjeç. Të dy ata janë dërguar me urgjencë në Spitalin e Pogradecit, nga ku thuhet se babai është në gjendje kritike për jetën, ndërsa vajza jashtë rrezikut. Për shkak të gjendjes së rënduar, i plagosuri më rëndë është nisur menjëherë për në Spitalin e Traumës, në Tiranë.

Drejtuesi maqedonas i kamionit, banues në Ohër, është shoqëruar në Komisariatin e Policisë së Pogradecit, ndërsa efektivë të tjerë dhe grupi hetimor i mbërritur në vendngjarje po punon për të mësuar rrethanat dhe shkaqet e aksidentit.

Top Channel