Superiorja, Skënderbeu rimerr kryesimin, mposht minimalisht Teutën

13/12/2015 00:00

Një gol i shkodranit, Hamdi Salihi i ka mjaftuar Skënderbeut për të mposhtur Teutën në “Niko Dovana” dhe për të rimarrë vendin e parë në renditje edhe pse me pikë të barabarta.

Vendasit u treguan më të rrezikshëm në minutat e para të ndeshjes, por Shehi ishte ai që i mohoi golin lojtarëve të drejtuar nga Magani. Më pas, Teuta humbi edhe një tjetër rast të pastër për shënim, kur topi i goditur nga Hila u devijua nga Radas në goditje nga këndi. Në minutat e mbetura të pjesës së parë ishte radha e portierit vendas të tregonte aftësitë e tij pas një goditje të Salihit, duke e mbajtur të paprekur portën në 45 minutat e para të ndeshjes.

Edhe pjesa e dytë nisi mirë për Teutën, të cilët shpërdoruan sërish një rast për shënim, ndërsa në minutën e 60 Bernard Berisha e la ekipin e tij me një lojtar më pak, pasi mori dy kartonë të verdhë në pak minuta. Tashmë sulmuesi i korçarëve do të mungojë edhe në sfidën ndaj Partizanit të kësaj jave.

Teuta besoi se mund ta fitonte takimin, madje pati shansin të zhbllokonte shifrat me Lukic me një goditje dënimi, por topi përfundoi mbi tra. Në momentin më të mirë të durrsakëve del në skenë një nuhatës tipik goli si Hamdi Salihi, i cili shfrytëzoi më së miri një krosim të Olainkës për të mos i dhënë asnjë mundësi reagimi portierit vlonjat.

Goli i pësuar e detyron Teutën të ushtrojë më shumë presion në gjysmëfushën kundërshtare, por Skënderbeu falë cilësisë së lojtarëve të tij arritën të menaxhoi rezultatin deri në vërshëllimën e kryesorit të ndeshjes, duke marrë një trepikësh mjaft të rëndësishëm në një fushë të vështirë, si dhe me një lojtar më pak.

Tashmë korçarët janë rikthyer në vendin e parë në Superiore, me 40 pikë, po aq sa ka edhe Partizani, por me golavarazh më të mirë.

Top Channel