Rivalët: E njohim mirë Shqipërinë; Petkoviç: Zvicra do të fitojë. Deschamps: Franca vuajti me ju

13/12/2015 00:00

Gazetari i Top Channel, Endi Tufa, që ndodhej në Paris, ka intervistuar edhe trajnerët e Zvicrës dhe të Francës. Petkoviç thotë se Zvicra e ka menaxhuar mirë faktin, që ka një numër të madh lojtarësh shqipfolës. Ai është i bindur se ekipi i tij do të fitojë ndaj Shqipërisë. Ndërsa Deschamps, trajneri francez, thotë se Shqipëria e ka bërë të vuajë Francën dy herë gjatë miqësoreve në kuadër të kualifikueseve.

“Ndeshja mes Shqipërisë dhe Zvicrës është një surprizë e bukur, por edhe një gjë që të tjerët donin ta shikonin edhe më parë. Për më tepër, në skuadrën tuaj ka vëllezër dhe shokë të lojtarëve tanë. Sigurisht do të jetë një ndeshje interesante, një ndeshje me shumë emocione, por në fund të fundit është vetëm një ndeshje futbolli dhe e tillë duhet të jetë. Një ndeshje mund të vendosë shumë dhe ne do të bëjmë gjithçka që të jemi fituesit e saj. Në ekipin tonë janë 6 apo 7 lojtarë që kanë origjinë shqiptare, nga Kosova apo Maqedonia, dhe flasin shqip, por ne kemi eksperiencë në gjëra të tilla, sepse edhe më herët Zvicra ka luajtur me Shqipërinë. Mbase do të jetë emocionuese nga ana juaj, sepse ju keni lojtarë që luajnë në Zvicër dhe e njohin mentalitetin. Me këtë ndeshje, ata marrin pjesë për herë të parë në kompeticione të tilla. Unë besoj shumë në skuadrën time. Në grupin tonë, më e forta është Franca, që është edhe pretendentja e këtij kampionati, por ne mund të tregojmë se mund të bëjmë diçka edhe kundër të mëdhenjve. Ndeshja mes Shqipërisë e Zvicrës është një gjysmë derbi, por ne do të bëjmë gjithçka që emicionet të qëndrojnë brenda një ndeshjeje futbolli”, tha Vladimir Petkoviç, trajner i Zvicrës.

“Unë i njoh mirë ekipet që kemi në grup. Dy apo 3 kundërshtarë i njohim shumë mirë. Me Shqipërinë jemi përballur dy herë këto kohët e fundit dhe na kanë hapur probleme. Por ne duhet të jemi në gjendje për t’i mundur. E njoh mirë trajnerin e Shqipërisë, jemi dy trajnerë miq, dhe në dy ndeshjet e fundit na kanë bërë të vuajmë shumë. Nuk ishim në gjendje të fitomin. Ata na njohin mirë, por edhe ne i njohim mirë dhe nuk do të jenë më një surprizë për ne”, tha Deschamps.

Top Channel