Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoni nuk mund të përmbushin standardet demokratike nëse nuk zbatohen të gjitha pikat e Marrëveshjes së 2 qershorit.

Katër muaj para mbajtjes së zgjedhjeve, partitë kryesore në Shkup ende nuk kanë arritur të tejkalojnë dallimet rreth funksionimit, përbërjes dhe kompetencave të Komisionit Shtetëror Zgjedhor.

Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev thotë se disa çështje të rëndësishme për mbarëvajtjen e procesit elektoral vijojnë të mbeten të hapura.

“Tashmë janë shkelur pothuajse të gjitha afatet. Negociatat kanë ngecur rreth Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve tek pjesa e emërimit të ekspertëve. Por unë dua t’i përmend edhe pasojat, përkatësisht çështjet indirekte që hapen nga zvarritja e bisedimeve për funksionimin e KSHZ-së, siç është pastrimi i listës zgjedhore dhe kompetencat e reja të tij. Nga këto, përmbushja e këtyre detyrimeve, varet mbarëvajtja e procesit zgjedhor demokratik”, deklaroi Zaev.

Bisedimet për Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve përkohësisht janë bllokuar pasi partitë maqedonase nuk po merren vesh rreth emërimit të 3 ekspertëve në KSHZ.

Përfaqësuesit e VMRO-DPMNE-së kanë akuzuar LSDM-në se përmes zvarritjes së negociatave po kërkon të vonojë datën e zgjedhjeve, kurse nga ana tjetër social-demokratët thonë se pushteti me zgjidhjet që ofron dëshiron edhe më tej të mbajë nën kontroll organin më të lartë zgjedhor.

Krahas dallimeve rreth KSHZ-së, përfaqësuesit e partive politike ende nuk kanë tejkaluar ato për reformat në sektorin e medias, një pikë tjetër që buron nga Marrëveshja për zgjidhjen e krizës politike.

Udhëheqësit e katër subjekteve kryesore pritet që të takohen ditën e martë për të zhbllokuar ngërçin në bisedimet midis grupeve punuese për zbatimin e Marrëveshjes së 2 qershorit.

Top Channel