Bashkimi Europian do t’i akordojë Maqedonisë 10 milionë euro, për të riparuar dëmet e shkaktuara nga përmbytjet, që goditën vendin gjatë këtij viti. Në fazën e parë të projektit do të investohen 3 milionë euro për të riparuar dëmet në infrastrukturë, kurse në fazën e dytë do të merren masa për parandalimin e vërshimeve.

“Është me rëndësi të theksohet se, kjo është një dëshmi për përkrahjen që ofron BE-ja për Maqedoninë, aq më shumë që këto fonde janë ridestinim i parave paraprake të parshikuara për IPA, me qëllim që të mund të ketë një ndërhyrje të shpejtë dhe Maqedonia të ndihmohet në këtë drejtim”, tha Fatmir Besimi, zëvendëskryeministër i Maqedonisë.

Punimet për riparimin e dëmeve pritet të përfundojnë brenda vitit 2016. Ambasadori i Bashkimit Europian në Shkup, Aivo Orav kërkoi që të shtohet siguria ndaj vërshimeve në të ardhmen, e në këtë drejtim tha se nevojitet më tepër angazhim nga autoritet vendase.

“Duhet të zbatoni politika për riparimin e dëmeve nga vërshimet në interes të vendit tuaj. Kjo do të thotë se, duhet të luftojmë bashkërisht kundër ndryshimeve klimatike dhe të punojmë për mbrojtjen e lumenjve, për t’u siguruar nga përmbytjet në të ardhmen”, tha Aivo Orav, ambasadori i BE-së në Maqedoni.

Dëmet që u shkaktuan nga përmbytjet e janarit dhe gushtit gjatë të këtij viti kapin vlerën e rreth 65 milionë eurove. Zv.kryeministri Fatmir Besimi tha se, institucionet vendase kanë ndarë ndihmat e para për familjet e prekura. Nga ana tjetër, banorët e disa fshatrave të Tetovës thonë se ndihen të rrezikuar nga përmbytjet, pasi – sipas tyre, – shteti ende nuk ka ndërmarrë asnjë masë për parandalimin e vërshimeve.

Top Channel