Arbitrazhi rrëzon Platini; mbetet në fuqi pezullimi i Etikës

11/12/2015 10:35

Gjykata e Arbitrazhit Sportiv rrëzoi kërkesën e Michel Platini për t’i hequr pezullimin 90-ditor nga detyra si President i UEFA-s.

Kreu i UEFA-s, së bashku me atë të FIFA-s, Sepp Blatter u pezulluan në muajin tetor nga Komisioni i Etikës pas shpërthimit të skandalit të korrupsionit në FIFA. Që të dy ata mohojnë akuzat.

Më herët, si Blatter ashtu edhe Platini ankimuan vendimin për pezullim në Komisionin e Apelit të FIFA-s, i cili gjithashtu la në fuqi vendimin e Etikës për pezullimin e tyre.

Kjo do të thotë se Michel Platini në këtë momenti mbetet ende jashtë gare për presidencën e Federatës Ndërkombëtare të Futbollit në zgjedhjet që do të mbahen në 26 shkurtin e vitit të ardhshëm.

Komiteti i Etikës ka hapur një hetim për Blatter dhe Platini pas atyre të nisura nga FBI dhe nga Prokuroria zvicerane, ku dyshohen se janë të përfshirë në skandal korrupsioni.

Sipas hetuesve zviceranë, Blatter ka derdhur për llogari të Platini në vitin 2011 një shumë prej 2 milionë frangash zvicerane, që francezi e deklaron si shpërblim për një punë të kryer prej tij në favor të FIFA.

Top Channel